Një incident i rëndë është regjistruar në zonën e Krrabës, në Fushë-Arrëz, ku një punonjës i një kompanie celulare është gjetur i shtrirë pranë antenave, pasi dyshohet se ka pësuar një problem shëndetësor gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas informacioneve paraprake, 50-vjeçari kishte shkuar në këtë zonë për të ndërhyrë në një defekt teknik në një nga antenat e komunikimit. Në rrethana ende të paqarta, ai është konstatuar nga persona të tjerë i shtrirë në terren, në gjendje që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë organizuar transportin e tij urgjent me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Aktualisht, 50-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa pritet të mësohet më shumë mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe shkaqet e sakta të incidentit. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.