Një sherr i nisur për motive të dobëta në Berat ka degjeneruar në përdorimin e mjeteve prerëse, duke çuar në procedimin penal në gjendje të lirë të dy personave.
Specialistët e Hetimit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Berat kanë referuar rastin në Prokurori, ku është regjistruar procedim penal për një 35-vjeçar me inicialet F. N. dhe një 16-vjeçar me inicialet E. R., të dy banues në këtë qytet.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka kërcënuar me thikë një 67-vjeçar, shtetasin B. R., si edhe djalin e tij të mitur. Në reagim, 16-vjeçari dyshohet se e ka goditur 35-vjeçarin me një mjet prerës, konkretisht sëpatë.
Si pasojë e dëmtimeve, 35-vjeçari është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dosja i është kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Berat për vijimin e veprimeve ligjore.