Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje kriminale të mundshme, duke arrestuar 37-vjeçarin Perikli Doçi, i cili u kap teksa po udhëtonte me një motomjet pa targa, me maskë silikoni, dhe kishte me vete lëndë eksplozive, 10 litra lëndë djegëse dhe një armë zjarri me municion. 37-vjeçari nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u arrestua pas një ndjekjeje në afërsi të liqenit të Paskuqanit. Motomjeti me të cilin ai po lëvizte dyshohet të jetë i vjedhur.
Hetimet kanë zbuluar se Doçi ishte përfshirë më parë në dy ngjarje kriminale: më 3 tetor 2025, ai ka qëlluar me armë zjarri drejt një banese në Paskuqan dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur; ndërsa më 17 tetor 2025, ai ka hedhur lëndë plasëse në banesën e një tjetër personi, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Policia ka sekuestruar gjithashtu lëndën eksplozive gati për shpërthim, armën e zjarrit, maskën silikoni dhe motomjetin pa targa.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, po vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të Doçit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale ku mund të jetë përfshirë. Materialet procedurale janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa Policia e Tiranës vlerëson se ndërhyrja e shpejtë ka parandaluar një rrezik serioz për qytetarët dhe pronën.