Tragjedi në Mesdhe: Përmbyset varka me emigrantë, dyshohet për të paktën 70 viktima

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.04.2026, 20:57

Një tjetër tragjedi e rëndë është shënuar në ujërat e Mesdheut, ku një varkë me emigrantë është përmbysur pranë brigjeve të Libisë, ndërsa më shumë se 70 persona dyshohet se kanë humbur jetën.

Sipas informacioneve paraprake, në mjetin lundrues ndodheshin rreth 105 persona, të cilët ishin nisur nga porti i Tajouras në Libi me synimin për të mbërritur në Europë. Deri tani janë konfirmuar 32 të mbijetuar, mes tyre edhe një i mitur, ndërsa dy trupa janë nxjerrë nga deti. Më shumë se 70 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Të mbijetuarit janë shpëtuar nga dy anije tregtare dhe më pas janë transportuar drejt ishullit italian të Lampedusës, një nga pikat kryesore të mbërritjes së emigrantëve që nisen nga Afrika e Veriut drejt Europës.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, varka u përmbys në zonën qendrore të Mesdheut, në kushte të vështira detare. Organizatat humanitare që po ndjekin rastin kanë ngritur alarmin për një tjetër katastrofë njerëzore në këtë korridor të rrezikshëm migrimi.

Shifrat mbeten alarmante: vetëm që nga fillimi i vitit 2026, të paktën 683 emigrantë kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur në përpjekje për të kaluar Mesdheun.

Pamjet dhe raportimet nga vendngjarja kanë tronditur opinionin publik, duke rikthyer edhe një herë debatin mbi rrugët e rrezikshme që mijëra njerëz zgjedhin për t’i shpëtuar luftës, varfërisë dhe pasigurisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit