Një video që po bëhet virale në rrjetet sociale ka rikthyer debatin mbi sigurinë dhe aftësitë e teknologjisë së avancuar të makinave Tesla, pasi një mjet i markës amerikane arriti të shmangë një aksident në kushte pothuajse me shikueshmëri zero.
Pamjet tregojnë momentin kur makina po lëviz në autostradë dhe papritur përpara saj krijohet një re e dendur tymi dhe pluhuri, e cila bllokon plotësisht pamjen e rrugës për shoferin.
Megjithatë, sistemi autopilot i Teslës duket se arrin të identifikojë rrezikun përpara dhe të kryejë një manovër të menjëhershme për të shmangur përplasjen, në një moment që shumë përdorues në rrjet po e cilësojnë si “pothuajse të pamundur”.
Videoja ka nxitur reagime të shumta, me shumë komentues që e cilësojnë këtë si një tjetër provë të fuqisë së teknologjisë së sensorëve, kamerave dhe inteligjencës artificiale të integruar në sistemin e drejtimit të asistuar. Sipas vetë kompanisë, sistemi Full Self-Driving (Supervised) përdor kamera me pamje 360 gradë dhe kërkon mbikëqyrje të vazhdueshme nga shoferi.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se këto sisteme klasifikohen ende si asistencë e nivelit 2, çka do të thotë se përgjegjësia kryesore mbetet gjithmonë te shoferi.
Pamjet janë bërë virale pikërisht sepse tregojnë një reagim në fraksion sekonde në një situatë ku syri i njeriut do ta kishte pothuajse të pamundur të dallonte rrezikun.
Ky rast ka rihapur debatin: A po bëhen makinat inteligjente më të sigurta se refleksi njerëzor?