“Ju jetoni si derra, jeni skllevërit e Shqipërisë”, denoncohet për ‘trajtim çnjerëzor’ të punonjësve kompania holandeze në Durrës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.04.2026, 19:06

Një denoncim shqetësues mbi një rast të rëndë shfrytëzimi dhe trajtimi degradues të punonjësve ka mbërritur në redaksinë tonë nga një person që pretendon se është pjesë e stafit të një fabrike kozmetike në pronësi të një shtetasi holandez, e cila operon në zonën e ish-Sektorit Rinia në Spitallë të Durrësit.

Sipas pretendimeve të denoncuesit, situata e punonjësve në këtë kompani paraqitet tepër e rënduar, duke ngritur shqetësime serioze mbi kushtet e punës, qarkullimin e lartë të stafit dhe mënyrën e trajtimit të tyre.

Punonjësi pretendon se në një periudhë rreth dyvjeçare, për një kapacitet prej afërsisht 50 punonjësish, në kompani janë punësuar dhe larguar rreth 150 persona, çka sipas tij ngre dyshime për një model të vazhdueshëm shfrytëzimi dhe pasigurie në vendin e punës.

Sipas të njëjtit denoncim, ambientet e prodhimit pretendohet se karakterizohen nga nivele të larta të aromave kimike dhe alkoolit, ndërsa kushtet fizike të godinës përshkruhen si të papërshtatshme, me temperatura shumë të ulëta në dimër dhe tepër të larta në verë.

Më e rënda në këtë denoncim është pretendimi se gjatë mbledhjeve me stafin, pronari i huaj u është drejtuar punonjësve me fjalët: “ju jetoni si derra” dhe “jeni skllevërit e Shqipërisë”. Këto deklarata, nëse provohen, përbëjnë një alarm serioz për dinjitetin dhe trajtimin e punonjësve shqiptarë.

Denoncuesi shprehet gjithashtu se kushdo që ka ngritur zërin për të drejtat e tij, sipas pretendimeve të tij, është përballur me largim nga puna.

Po ashtu, ai i bën thirrje Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore që të verifikojë regjistrat e hyrje-daljeve të punonjësve për vitet 2023–2024, kushtet e sigurisë dhe ndotjes në ambientet e kompanisë, si dhe të marrë në pyetje ish-punonjësit për të hedhur dritë mbi këto pretendime.

JOQ Albania thekson se këto janë pretendime të denoncuesit dhe nuk paraqesin fakte të verifikuara në mënyrë të pavarur nga redaksia.

Ky rast duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për institucionet përgjegjëse, pasi dinjiteti i punëtorëve shqiptarë nuk mund dhe nuk duhet të cenohet nga askush.

Shënim: Fotoja e përdorur në artikull është ilustruese dhe e gjeneruar me AI.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit