Pas rritjes së çmimeve të naftës dhe kostove të transportit në tregjet ndërkombëtare, po shtohet presioni për rishikimin në rritje edhe të çmimeve të lëndëve të tjera të para.
Shtrenjtimi i inputeve, veçanërisht i plastikës, pritet të ndikojë drejtpërdrejt te përpunuesit e qumështit, duke rritur kostot e prodhimit. Furnitorët e huaj të fabrikave prodhuese në Greqi kanë njoftuar përpunuesit vendas se çmimi i plastikës mund të rritet deri në dyfish krahasuar me nivelet e mëparshme.
Sipas këtij njoftimi, çmimet e reja do të fillojnë të aplikohen gradualisht për furnizimet e periudhës 1–31 maj.
“Tregu global i lëndës së parë për plastikë ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme çmimesh, e shoqëruar edhe me kosto më të larta transporti. Në disa raste, çmimet janë dyfishuar krahasuar me më parë. Ne po përpiqemi të përthithim një pjesë të këtyre kostove, në mënyrë që të mos reflektojmë të gjithë rritjen te klientët tanë. Çdo porosi e prodhuar dhe e dorëzuar deri më 30 prill do të mbetet me çmimet aktuale.
Megjithatë, për shkak të vazhdimit të kësaj tendence dhe presionit të fortë mbi kostot, jemi të detyruar të rishikojmë çmimet, duke reflektuar vetëm një pjesë të rritjes reale. Ky përditësim synon të ruajë një balancë të drejtë mes kushteve të tregut dhe bashkëpunimit afatgjatë. Duke qenë se tregu është i paqëndrueshëm dhe çmimet ndryshojnë shpesh, do të aplikojmë një politikë çmimesh mujore për të garantuar transparencë dhe përshtatje me situatën.
Lista e re e çmimeve për periudhën 1 maj – 31 maj 2026 do t’ju dërgohet brenda javës së ardhshme”, thuhet në njoftimin e furnitorëve të huaj.
Sipas Monitor, përfaqësues të industrisë vendase të përpunimit të qumështit paralajmërojnë se rritja e çmimit të plastikës, e përdorur për ambalazhimin e produkteve të bulmetit, do të shtojë më tej kostot e prodhimit. Si pasojë, ata nuk përjashtojnë mundësinë e rritjes së çmimeve për produktet e bulmetit në treg.
Më herët, për shkak të rritjes së përgjithshme të kostove—sidomos nga çmimi i lartë i qumështit si lëndë e parë, që në Shqipëri blihet më shtrenjtë se në vendet e BE-së—kompanitë përpunuese i kanë kërkuar qeverisë uljen e TVSH-së në 10% për blerjen dhe shitjen e qumështit.
Sipas tyre, një masë e tillë do të ndihmonte në lehtësimin e barrës financiare për industrinë dhe njëkohësisht do të frenonte rritjen e çmimeve për konsumatorët. Kërkesa e Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit i është dorëzuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, por deri tani nuk ka një përgjigje zyrtare.
Industrialistët theksojnë se vendet e Bashkimit Evropian aplikojnë norma më të ulëta të TVSH-së për ushqimet bazë, zakonisht në nivelin 5–10%, ndërsa në disa raste përdoret edhe norma zero për produkte të ndjeshme si buka, qumështi, vezët dhe frutat e freskëta.