U arrestua tre javë më parë për dhunë në familje, ndërron jetë në QSUT një i dënuar

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 05.04.2026, 09:21

Një i dënuar, Hajri Ramazan Robi, ka ndërruar jetë sot rreth orës 05:00 në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, vdekja ka ardhur si pasojë e një arresti kardio-respirator. 68-vjeçari ishte i shtruar në Reanimacionin Qendror të QSUT për trajtim mjekësor, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore që përfshinte hipertension arterial, diabet mellitus dhe frakturë subtrokanterike të majtë.

Hajri Robi ishte arrestuar më 12 mars 2026 për veprën penale “dhunë në familje” dhe më pas transferuar në IEVP Lezhë më 14 mars, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Më 30 mars ai u dërgua në Qendrën Spitalore të Burgjeve për trajtim mjekësor dhe më 2 prill u shtrua me urgjencë në QSUT për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Të gjitha procedurat ligjore për rastin janë zbatuar, duke u njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, Prokuroria, Komisariati i Policisë, si dhe familjarët e të ndjerit. Autoritetet theksuan se trajtimi dhe monitorimi i pacientit u kryen sipas protokolleve të përcaktuara ligjore dhe mjekësore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit