The Sun: Çdo ditë burgosen mesatarisht 5 shqiptarë në Britani!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.04.2026, 00:46

Sipas një artikulli të publikuar së fundmi nga The Sun on Sunday, mesatarisht pesë shtetas shqiptarë burgosen çdo ditë në Mbretërinë e Bashkuar, bazuar në të dhënat më të fundit të Ministrisë britanike të Drejtësisë.

Media britanike shkruan se 1865 shqiptarë janë dërguar në burg gjatë periudhës njëvjeçare deri në shtatorin e kaluar, ndërsa shqiptarët vijojnë të përbëjnë përqindjen më të lartë të të huajve në burgjet britanike. Sipas shifrave, ata përfaqësojnë rreth 9% të totalit prej mbi 75 mijë të burgosurish.

Në analizën e publikuar nga The Sun, vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, 58 shqiptarë janë dënuar me të paktën një vit burg, për vepra që variojnë nga trafiku i drogës deri te kontrabanda e emigrantëve.

Sipas ligjit britanik, çdo shtetas i huaj që dënohet me 12 muaj ose më shumë burg shoqërohet automatikisht me një urdhër deportimi pas vuajtjes së dënimit. Ndërkohë, qeveria laburiste pritet të sjellë ndryshime ligjore që do të lejojnë deportimin e disa të dënuarve pasi të kenë kryer vetëm një të tretën e dënimit, nga gjysma që aplikohet aktualisht.

Britania dhe Shqipëria kanë gjithashtu një marrëveshje transferimi të të burgosurve, që parashikon kthimin në Shqipëri të çdo shqiptari të dënuar me 4 vite burg ose më shumë, për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në vendin e origjinës.

Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë britanike deklaroi për The Sun se që nga korriku 2024 janë deportuar mbi 8700 shkelës të huaj, një rritje prej 32% krahasuar me 19 muajt paraardhës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit