Një vajzë vetëm 9-vjeçare nga SHBA është kthyer në sensacion në rrjetet sociale, pasi ka arritur të ngrejë 82 kilogramë, plot tre herë peshën e trupit të saj, gjatë një gare sportive në Ohio.
E vogla, e identifikuar si Lucy Milgrim, peshon rreth 27 kilogramë, por në Arnold Sports Festival në Columbus arriti të realizojë një “deadlift” perfekt me 82 kg, duke vendosur një rekord personal dhe duke tërhequr vëmendjen e mijëra njerëzve në internet. Videoja e momentit është bërë virale, me miliona shikime dhe reagime admiruese.
Në të njëjtin event, Lucy ka vendosur edhe rekordin e tretë kombëtar në USA Powerlifting brenda vitit të saj të parë në këtë sport. Përveç ngritjes 82 kg, ajo ka thyer rekorde edhe në squat me rreth 59 kg dhe bench press me afro 33.5 kg.
Sipas mediave amerikane, vogëlushja stërvitet 4 deri në 5 herë në javë, ndërsa prej tre vitesh merret edhe me mundje. Trajneri i saj është vetë babai, i cili ka deklaruar se Lucy ka treguar forcë dhe disiplinë të pazakontë që në moshë shumë të vogël.
Performanca e saj ka mahnitur botën e sportit, duke u kthyer në një burim frymëzimi për të gjithë dhe duke dëshmuar se disiplina dhe pasioni nuk njohin moshë.