Vedat Muriqi i shënon gol Real Madridit në minutën e 91, i jep fitoren ekipit të tij

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.04.2026, 19:11

RCD Mallorca ka arritur një fitore shumë të rëndësishme 2-1 ndaj Real Madrid në stadiumin “Son Moix”, në javën e 30-të të La Ligës, duke marrë tre pikë jetike në luftën për mbijetesë.

“Los Blancos” zhgënjyen sërish, duke zhvilluar një nga ndeshjet më të dobëta të këtij sezoni dhe duke krijuar shumë pak raste. Rasti i vetëm i rrezikshëm në pjesën e parë erdhi në minutën e 22-të, kur Kylian Mbappé tentoi portën, por u ndal nga portieri Leo Román.

Mallorca shfrytëzoi pasigurinë në mbrojtjen madrilene dhe kaloi në avantazh në minutën e 42-të. Pas një krosimi nga Pablo Maffeo, përfitoi Manu Morlanes, i cili dërgoi topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë ritmi ra, ndërsa Real Madrid u përpoq të reagonte në minutat e fundit. Goli i barazimit erdhi në minutën e 88-të, kur Éder Militão, i futur si zëvendësues, shënoi me kokë pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Trent Alexander-Arnold.

Megjithatë, reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm. Në minutën e parë shtesë, Vedat Muriqi realizoi golin e fitores pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga portieri Román, duke çuar topin në rrjetë me saktësi dhe duke shënuar golin e tij të 19-të sezonal.

Me këtë sukses, Mallorca merr tre pikë të arta në garën për mbijetesë, ndërsa Real Madrid regjistron humbjen e pestë të sezonit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit