Shtatë vite pasi projekti i Aeroportit të Vlorës u prezantua si një nga kolonat e infrastrukturës shqiptare, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka hedhur hapat e parë konkretë duke marrë të pandehur zyrtarët e parë.
Nën drejtimin e prokurorit të posaçëm Klodian Braho, hetimi ka dalë nga faza paraprake, duke vënë nën akuzë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Akuzat rëndojnë mbi veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, pasi dyshohet se gjatë procesit të përzgjedhjes së fituesit është cenuar gara dhe drejtësia proceduriale.
Historia e këtij investimi strategjik nisi në janar të vitit 2018, kur kryeministri Edi Rama njoftoi marrjen e një kërkese zyrtare nga një konsorcium turk. Megjithatë, u deshën tre vite që, në prill të 2021-shit, të shpallej fitues konsorciumi i përbërë nga “Mabco Construction”, “YDA Group” dhe “2A Group”, me një vlerë investimi prej 104.3 milionë eurosh.
Kontrata u firmos nga ministrja e atëhershme Belinda Balluku, por ajo që filloi si një partneritet publik-privat, shumë shpejt u kthye në një skemë komplekse dhe të brishtë juridike.
Në shtator të vitit 2022, struktura e kapitalit ndryshoi rrënjësisht kur kompania turke “YDA Group” vendosi të largohej, duke i shitur aksionet e saj firmës “Mabco Construction”. Ky transaksion e bëri këtë të fundit zotëruese të pothuajse të gjithë kapitalit, me rreth 98% të aksioneve të shoqërisë “Vlora International Airport”.
Por, përkundër logjikës ekonomike ku shumica vendos, projekti hyri në një fazë bllokimi total për shkak të një konflikti të brendshëm me aksionerin minoritar.
Situata u tensionua në shtator të vitit 2025, kur kompania “2A Group”, e cila zotëron vetëm 2% të aksioneve, iu drejtua Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për sigurim padie, duke pretenduar se i takonin 49% e aksioneve.
Brenda një kohe rekord prej dy ditësh, gjykata mori një vendim drastik që pezulloi të drejtën e votës për aksionerin maxhoritar, “Mabco Construction”.
Ky vendim krijoi një paradoks të paprecedentë juridik dhe administrativ: kompania që zotëron 98% të investimit u përjashtua nga vendimmarrja, ndërsa pakica e papërfillshme në letra mori kontrollin faktik të administrimit të projektit.
Ky “shpronësim” de facto i shumicës ka paralizuar punimet dhe ka lënë investimin mbi 100 milionë euro në një ngërç të rrezikshëm.
Marrja e anëtarëve të komisionit si të pandehur shihet vetëm si fillimi i një hetimi që mund të shtrihet më lart në hierarkinë politike. Pyetjet kryesore që ngrihen sot lidhen me rolin e ish-ministres Belinda Balluku dhe lidhjet e mundshme të saj me palët e përfshira në konflikt, si dhe ligjshmërinë e vendimeve gjyqësore që mundësuan bllokimin e projektit.
Ekziston një dyshim i fortë se ky zinxhir vendimmarrës, që nga hartimi i tenderit e deri te vendimet e ndërmjetme të gjykatave, ka shërbyer për t'i dhënë kontrollin terrenit një aktori me vetëm 2% të aksioneve.
Nëse SPAK nuk arrin të zbardhë të plotë këtë skemë dhe drejtësia nuk korrigjon deformimin e pronësisë, pasojat mund të jenë katastrofike për financat publike. Një përplasje e mundshme në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar mund ta rrisë faturën e dëmit për buxhetin e shtetit deri në 500 milionë euro, duke e kthyer aeroportin e shumëpritur në një barrë të rëndë për qytetarët.