Një aksident i rëndë automobilistik i ndodhur dje në rrugën Naim Frashëri, pranë ish-depove të naftës në Mëzez, ka nxjerrë në pah një problem të thellë të drejtësisë në vend. 18-vjeçari Endri Brailika, duke drejtuar një automjet tip BMW, përplasi një motor ku ndodheshin dy persona drejtuesi K.L, 33 vjeç, dhe pasagjerja A.T, 20 vjeçe. Drejtuesi i motorit ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa pasagjerja ka mbetur e plagosur rëndë dhe të dy po marrin trajtim në Spitalin e Traumës.
Çështja bëhet edhe më shqetësuese nga fakti se Endri Brailika është liruar menjëherë, pavarësisht gjendjes kritike të viktimave. Ky vendim ka ngritur dyshime të forta për ndikim të lidhjeve familjare, pasi babai i tij është punonjës i RENEA. Një ngjarje që duhet të trajtohej me seriozitet maksimal, është shndërruar në një precedent të rrezikshëm: privilegjet dhe lidhjet personale mbi drejtësinë.
Është e papranueshme që një aksident që lë një person në gjendje kritike dhe një tjetër të plagosur rëndë të mos ketë pasoja ligjore të menjëhershme. Liria e tij, në këto rrethana, është një mesazh i rrezikshëm për qytetarët: disa mund të shmangin përgjegjësinë vetëm për shkak të lidhjeve me pushtetin.
Autoritetet duhet të reagojnë menjëherë, të garantojnë hetim të paanshëm dhe të ndjekin ligjin deri në fund. Çdo vonesë apo fshehje nuk është vetëm një padrejtësi ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, por një goditje e thellë ndaj besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë.