Sipas banorëve, në zonë po priten lisa të vjetër në mënyrë intensive, çka ka sjellë dobësimin e tokës dhe rrëshqitje të pjesëve të malit. Ata pretendojnë se ndërhyrja në pyll ka qenë e pakontrolluar dhe pa respektuar kriteret mjedisore.
Mësohet se një kompani, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur, ka marrë leje nga bashkia me pretendimin për “rrallim dhe pastrim” të pyllit. Megjithatë, sipas dëshmive dhe pamjeve të siguruara nga zona, prerjet nuk po kryhen sipas standardeve të parashikuara, por në mënyrë tërësore, duke mos lënë pothuajse asnjë lis në këmbë.
Banorët shprehen se drurët po priten për qëllime fitimi, kryesisht për prodhim qymyri dhe shitje druri, ndërsa procesi nuk reflekton një ndërhyrje të kontrolluar për mirëmbajtjen apo rigjenerimin e pyllit.
Sipas legjislacionit në fuqi, edhe kur jepet leje për prerje, ajo duhet të jetë e kufizuar dhe e mirëpërcaktuar, duke respektuar sasinë e drurëve që mund të priten për metër katror, me qëllim pastrimin dhe ripërtëritjen e pyjeve, jo shkatërrimin e tyre.
Situata ka ngritur shqetësime serioze për pasojat mjedisore dhe rrezikun që i kanoset zonës nga rrëshqitjet e dheut, ndërsa pritet reagim nga autoritetet për të verifikuar ligjshmërinë e ndërhyrjes dhe për të ndalur dëmtimin e mëtejshëm të pyllit.