Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e ndodhur pasditen e së premtes në Vlorë, ku pas një konflikti banal humbi jetën Ismail Aliaj, 63 vjeç. Sipas raportimeve, konflikti kishte nisur disa ditë më parë mes djalit të viktimës dhe autorit, dhe babë e bir kishin shkuar në rrugën “Gjergj Araniti” për të sqaruar situatën. Fillimisht pati debat verbal, i cili degradoi më pas në fyerje dhe sharje.
Situata u agravua kur në konflikt ndërhynë edhe dy shokë të autorit, duke sjellë përplasje fizike me grushte dhe shkelma. Autorit i është dashur vetëm një goditje me shkelm dhe dy me grushte për të bërë që viktima të rrëzohej në tokë dhe të humbiste jetën. Viktima kishte probleme të mëparshme me zemrën, çka mund të ketë ndikuar në fatkeqësinë tragjike.
Pas ngjarjes, autori dhe dy shokët e tij janë larguar me makinë dhe janë shpallur në kërkim nga policia. Djali i viktimës mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Ismail Aliaj u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë. Burimet bëjnë me dije se rreth një muaj më parë viktimës i ishte djegur automjeti, por kjo ngjarje nuk lidhet me incidentin e fundit.