Konflikti në Lindjen e Mesme mes Iranit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ka hyrë në ditën e 36 të luftimeve, duke shënuar një përshkallëzim të ri të tensioneve. Sipas raportimeve, Irani ka arritur të rrëzojë për herë të parë avionë luftarakë amerikanë. Njëri nga pilotët është shpëtuar dhe ndodhet në gjendje të mirë, ndërsa për pilotin e dytë dyshohet se është kapur nga forcat iraniane. Presidenti amerikan Donald Trump nuk dha detaje për masat e mundshme në këtë rast, duke theksuar se shpreson që kapja të mos ketë ndodhur dhe se incidenti nuk do të ndikojë në negociata.
Ndërkohë, operacionet ushtarake vazhdojnë në disa fronte. Në jug të Izraelit janë raportuar shpërthime pas goditjeve me raketa balistike nga Irani, ndërsa në veri të Teheranit ka pasur sulme intensive ajrore. Sulme janë regjistruar edhe në Bejrut, ku objektiv ka qenë infrastruktura e grupit Hezbollah. Në të njëjtën kohë, Garda Revolucionare Islamike ka rrethuar një zonë në provincat jugperëndimore iraniane Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad, ku besohet se është rrëzuar një nga avionët.
Në planin strategjik, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka kërcënuar me ndikim në një nga pikat kyçe të tregtisë globale Ngushticën e Bab el-Mandeb. Kjo ngushticë është një arterie jetike për transportin ndërkombëtar, pasi një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve globale të naftës, gazit të lëngshëm (LNG), si dhe mallrave ushqimore dhe plehrave kalon përmes saj. Çdo ndërprerje e trafikut në këtë zonë do të kishte pasoja të mëdha për ekonominë globale dhe zinxhirët e furnizimit.