Në prill të vitit 2021, denoncuam një procedurë të diskutueshme tenderimi nga ish- drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho. Pas një periudhe qetësie, ai miratoi një fond prej rreth 4 miliardë lekësh të vjetra (me TVSH) për kompaninë Salillari, si shtesë punimesh për segmentin “Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 2”.
Evidentuam se ky tender, me numër reference REF-91294-03-26-2021, ishte realizuar përmes një procedure me negocim pa njoftim, duke shmangur garën e hapur. Oferta e kompanisë përkonte 100% me fondin limit, një element që ngrinte dyshime serioze mbi mungesën e konkurrencës dhe transparencës.
Sipas denoncimit tonë, vlera e përfituar nga kjo procedurë arriti në 313,399,085 lekë të reja pa TVSH. Edhe sot, pesë vite më pas, ky rast mbetet një shembull i qartë i mënyrës sesi fondet publike mund të menaxhohen në mënyrë të dyshimtë përmes procedurave të mbyllura.
