Prej dy muajsh, banorët e Rrjoll po mbajnë një qëndresë të përditshme kundër asaj që e konsiderojnë grabitje të tokave të tyre, në funksion të ndërtimit të një resorti turistik nga biznesmeni Bashkim Ulaj.
Çdo ditë, në të njëjtin vend, me të njëjtin qëllim, ata dalin për të mbrojtur pronën e tyre, duke u përballur jo vetëm me institucionet shtetërore, por edhe me presionin në terren. Përplasjet nuk kanë munguar: prezenca e policisë, forcat private të sigurisë dhe mjetet e rënda që tentojnë të hyjnë në zonë kanë krijuar një situatë të tensionuar, ku shpeshherë fjala i ka lënë vendin përballjes fizike.
Banorët janë shtyrë, kërcënuar dhe në disa raste edhe dhunuar, ndërsa janë përpjekur të ndalojnë fadromat që, sipas tyre, po hyjnë në toka që u përkasin prej brezash. Ata pretendojnë se nuk janë dëgjuar dhe se zëri i tyre është anashkaluar përballë interesave të mëdha ekonomike.
Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është këmbëngulja. Dy muaj protestë të përditshme nuk janë pak. Në një vend ku shpesh reagimet shuhen shpejt, banorët e Rrjollit kanë zgjedhur të mos tërhiqen. Ata kanë qëndruar aty, në diell, në erë e në shi, duke u bërë pengesë fizike për makineritë dhe duke sfiduar çdo ditë një realitet që e ndjejnë të padrejtë.
Kjo qëndresë ka marrë tashmë përmasat e një simboli lokal: një përballje mes banorëve të thjeshtë dhe një projekti të madh zhvillimi, mes kujtesës së tokës dhe interesit për beton.
Ndërsa ditët kalojnë dhe protesta vijon, mbetet për t’u parë nëse zëri i tyre do të dëgjohet, apo nëse Rrjolli do të jetë një tjetër histori ku qëndresa thyhet përballë forcës. Por deri tani, banorët kanë treguar se nuk janë gati të dorëzohen.