Forcat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Vlorë, kanë ndërmarrë sërish aksion për shembjen e ndërtimeve të konsideruara pengesë për projektet publike. Këtë herë, ndërhyrja është fokusuar në një banesë dykatëshe, e cila sipas autoriteteve pengon realizimin e projektit për lidhjen e portit detar me rrugën Transballkanike.
Shembja e objektit, që më parë shërbente si godinë banimi, është kundërshtuar nga banorët që jetonin në të. Ata pretendojnë se prona është e pajisur me dokumentacion të rregullt dhe se çështja ndodhet ende në proces gjyqësor. Sipas tyre, ndërhyrja për prishjen e banesës është e parakohshme dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.
Banorët kërkojnë që të pritet vendimi i gjykatës përpara se të ndërmerret një veprim i tillë, ndërsa situata në terren është shoqëruar me tensione. “Është prona ime”, dëgjohet të thotë një qytetare drejtuar forcave të policisë, duke kundërshtuar shembjen e banesës së saj.