Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 78-vjeçarit Gëzim Vija në fshatin Bulgarec, pranë Korçës. Trupi i pajetë i të moshuarit është zbuluar mëngjesin e së enjtes nga punonjësi i postës, i cili shpërndan pensionet në zonë. Pasi e ka thirrur disa herë dhe nuk ka marrë përgjigje, ai ka njoftuar fqinjët, të cilët më pas kanë hapur derën e banesës dhe kanë gjetur viktimën pa shenja jete në një prej dhomave.
Ndërkohë, Policia e Korçës ka shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, teksa hetimet janë përqendruar te pista se autori mund të ketë pasur njohje me viktimën. Kjo dyshohet se ka bërë të mundur hyrjen në banesë pa shenja dhune, duke ngritur dyshime për një krim të kryer në rrethana besimi.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se 78-vjeçari kishte një plagë të thellë në kokë, e shkaktuar me mjet të fortë, çfarë i ka sjellë vdekjen. Dyshohet se autori dhe viktima janë përleshur para se 78-vjeçari të qëllohej për vdekje me mjet të fortë.
Ekspërtët kriminaliste janë rikthyer përsëri duke kryer veprimet hetimore brenda banesës për të zbardhur dinamikën e krimit. Ndërkohë pjesë e veprimeve hetimore është dhe një automjet në pjesën e jashtme të banesës, në të cilin po kryhen veprimet e mëtejshme.