Ndahet nga jeta Don Kelmend Spaqi, prifti që lajmëronte iftarin duke i rënë kambanave të kishës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.04.2026, 21:35

Besimtarët katolikë në Kosovë janë njoftuar mëngjesin e sotëm për vdekjen e parakohshme të famulltarit të Kishës Katolike “Shna Ndout”, Don Kelmend Spaqi. Meshtari, i cili ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare, njihej gjerësisht për kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku shërbeu si mburojë për popullatën civile në zonën e Pejës.

Gjatë viteve 1998-1999, Don Kelmend Spaqi e shndërroi kishën e Gllogjanit në një strehë për qindra banorë shqiptarë që përndiqeshin nga forcat serbe. Sipas dëshmive të banorëve të asaj kohe, ai doli personalisht para paramilitarëve serbë për të negociuar lirimin e civilëve, duke deklaruar se populli ishte i pafajshëm.

Në këtë kishë nuk u strehuan vetëm besimtarë katolikë, por edhe myslimanë të shumtë nga fshati dhe rrethina, për të cilët meshtari u bë garant i jetës në momentet më kritike të ofensivave.

Një nga veprimet që la gjurmë në kujtesën kolektive të asaj zone ishte vendimi i tij për t’u rënë kambanave të kishës për të njoftuar kohën e iftarit dhe syfyrit për bashkëkombësit myslimanë gjatë muajit të Ramazanit.

Edhe pse u mor në pyetje nga forcat serbe për këto sinjale, ai arriti t’i shmangej rrezikut duke mbrojtur vëllezërit e tij të një gjaku. Kjo nismë e tij mbetet një nga shembujt më unikë të solidaritetit ndërfetar në historinë e luftës në Kosovë.

Vdekja e tij ka ngjallur reagime të shumta nga krerët fetarë dhe politikë në vend, të cilët e kanë cilësuar si një humbje të madhe për kishën dhe atdheun. Ceremonia e varrimit të Don Kelmend Spaqit do të mbahet të hënën, në orën 11:00, në vendlindjen e tij në Velezh të Prizrenit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit