Një ortek i fuqishëm është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Valbonës, në Tropojë.
Pamjet janë dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili ka filmuar momentin kur masa e madhe e dëborës shkëputet nga mali dhe zbret me shpejtësi në luginë, duke krijuar një re të dendur të bardhë që mbulon të gjithë zonën.
Nga videoja shihet qartë forca e ortekut, i cili përhapet në një sipërfaqe të gjerë përgjatë shpatit të malit. Fatmirësisht, në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja nuk ka banesa dhe deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Banorët e zonës thonë se lëvizje të tilla të masave të dëborës janë të zakonshme në periudha me temperatura të ulëta dhe reshje në zonat alpine, por pamjet e sotme tregojnë një ortek me intensitet të konsiderueshëm.