Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Portëz të Fierit, ku një 40-vjeçar është gjetur i pajetë brenda banesës së tij, i qëlluar me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Taulant Bajram Halka, lindur në Korçë dhe banues në fshatin Portëz, në Fier. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u qëlluar me armë gjahu tip “çifte” në dhomën e gjumit. Mësohet se arma ishte në pronësi të babait të tij dhe e pajisur me leje.
Burime nga policia bëjnë me dije se 40-vjeçari jetonte më herët në Vlorë dhe dyshohet se kishte konflikte me bashkëshorten, e cila kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje. Kohët e fundit ai ishte larguar nga Vlora dhe ishte kthyer në banesën e prindërve në Portëz.
Sipas të njëjtave burime, Halka ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe në kushte depresive, çka dyshohet se e ka çuar drejt aktit ekstrem.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa pritet edhe ekspertiza përfundimtare për të konfirmuar shkakun e vdekjes.