Një përkeqësim i fortë i kushteve atmosferike ka goditur Italinë qendrore dhe jugore, si pasojë e ciklonit “Erminio”, duke sjellë situata problematike në disa rajone të vendit.
Në Molise, mëngjesin e sotëm është shembur një urë mbi lumin Trigno. Fatmirësisht nuk raportohet për viktima, pasi kalimi në këtë segment ishte ndaluar që prej të mërkurës për automjetet dhe këmbësorët. Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara me dëborën më intensive të tetë viteve të fundit, kanë izoluar lidhjet rrugore mes Molises dhe Abrucos.
Vështirësi janë shfaqur edhe në transportin publik. Në stacionin e Ankonës, qindra udhëtarë kanë mbetur në pritje për orë të tëra, pasi autobusët nuk kanë mundur të qarkullojnë për shkak të motit ekstrem.
Ndërkohë, në rajonin e Markes, rreth 90 banorë kanë mbetur të izoluar pas një rrëshqitjeje dheu. Situatë problematike paraqitet edhe në Puglia, me qendër Barin, ku përmbytjet kanë prekur sipërfaqe të mëdha bujqësore, duke lënë të bllokuar 40 banorë të zonave rurale dhe rreth 50 drejtues mjetesh.
Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve dhe forcave të mbrojtjes civile ka bërë të mundur shpëtimin e personave të izoluar, duke shmangur pasoja më të rënda.
Sipas autoriteteve, duke nisur nga dita e premte pritet një përmirësim gradual i motit, fillimisht në zonat e Italisë qendrore.