Mesfushori ofensiv i Trabzonsporit, Ernest Muçi, ka dhënë një mesazh të qartë përpara përballjes së zjarrtë ndaj Galatasaray-t, duke theksuar se është i gatshëm të zbresë në fushë edhe pse vjen nga një dëmtim i pësuar me kombëtaren. Futbollisti shqiptar, i rikthyer nga grumbullimi me një problem fizik, ka treguar vendosmërinë për të qenë protagonist në një nga sfidat më vendimtare të sezonit për skuadrën turke.
Sipas raportimeve, Muçi ka pësuar një edemë në pjesën e pasme të kofshës. Në komunikimet me stafin mjekësor dhe teknik, ai ka pranuar rrezikun që mbart aktivizimi në këtë gjendje, duke këmbëngulur që të jetë i gatshëm për derbin.
Dëmtimi erdhi pas ndeshjes ndaj Polonisë, ku 25-vjeçari u aktivizua si zëvendësues në gjysmëfinalen e “playoff”-it. Një ditë më vonë, ai ndjeu shqetësime në kofshën e djathtë dhe analizat mjekësore konfirmuan një ënjtje muskulore. Për këtë arsye, Muçi mungoi në miqësoren ndaj Ukrainës, duke nisur një periudhë rikuperimi.
Pas rikthimit në Trabzon, gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa vetë lojtari ka qenë i prerë në qëndrimin e tij: “Do të luaj në derbi me çdo kusht. Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Dua të ndihmoj skuadrën dhe t’u japim tifozëve një fitore të madhe.”
Aktualisht, Muçi vijon rikuperimin dhe pritet që shumë shpejt t’i bashkohet stërvitjes me grupin. Stafi mjekësor po ndjek nga afër gjendjen e tij, ndërsa vendimi final për aktivizimin do të merret në prag të ndeshjes. Në kampin e Trabzonsporit shpresojnë që prania e tij të shtojë forcën në repartin ofensiv në një duel kaq të rëndësishëm.