Rritja e çmimeve të karburanteve si pasojë e konfliktit në Iran po fillon të ndikojë drejtpërdrejt në industrinë ajrore globale. Sipas International Air Transport Association (IATA), çmimi i një barreli kerozine ka pësuar një rritje të fortë, duke u dyfishuar mesatarisht që nga fundi i shkurtit.
Eksperti i aviacionit Cord Schellenberg deklaroi për Tagesschau se kerozina është një produkt i veçantë, që prodhohet në sasi të kufizuara dhe tregtohet në një treg relativisht të ngushtë. Për këtë arsye, sipas tij, çmimi i saj është shumë i ndjeshëm ndaj luhatjeve të mëdha. Si rrjedhojë, kjo rritje pritet të reflektohet edhe në çmimet e biletave ajrore.
Përveç rritjes së çmimeve, udhëtarët mund të përballen edhe me reduktim të opsioneve për udhëtim. Schellenberg parashikon se në muajt e ardhshëm, linjat ajrore do të anulojnë fluturimet që nuk janë ekonomikisht të përballueshme.
Kjo prirje ka nisur tashmë: United Airlines ka bërë të ditur se do të ulë rreth 5% të kapacitetit të planifikuar për këtë vit. Edhe kompani aziatike, si Vietnam Airlines, po shkurtojnë fluturimet për shkak të mungesës së kerozinës.
Paralajmërime kanë ardhur edhe nga Ryanair. Drejtori ekzekutiv Michael O’Leary theksoi se, nëse konflikti vazhdon, kompanitë ajrore në Evropë mund të përballen me mungesë furnizimi me kerozinë që në fillim të verës. Ai shtoi se në rast se lufta zgjat deri në maj, rreth 10–20% e furnizimit me karburant për sezonin veror mund të vihet në rrezik, duke detyruar linjat ajrore të anulojnë fluturime ose të reduktojnë kapacitetet.
Sipas IATA-s, Evropa është një nga rajonet më të rrezikuara nga mungesat e mundshme të kerozinës, pasi 25–30% e nevojave të saj mbështeten te furnizimet nga Gjiri Persik.
Situata është përkeqësuar edhe nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një korridor kyç për transportin global të naftës dhe gazit. Kjo ka ndikuar në rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë dhe ka shtuar shqetësimet për furnizimin.
Edhe pse deri tani ndikimi në çmimet e biletave ka qenë i kufizuar, pritet që ato të rriten me 3–4% gjatë periudhës prill–qershor, ndërsa zhvillimet mbeten të pasigurta nëse konflikti vijon.