Tragjedi në Mesdhe: 19 viktima në brigjet e Lampedusës, dhjetëra të shpëtuar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 02.04.2026, 10:05

Një tragjedi e rëndë është regjistruar pranë ishullit Lampedusa, ku roja bregdetare italiane ka gjetur trupat e pajetë të 19 personave në një gomone në jug të ishullit.

Sipas zëdhënësit Roberto D’Arrigo, gjatë operacionit të shpëtimit u arrit të nxirren të gjallë edhe 58 persona, mes tyre pesë fëmijë. Të mbijetuarit u transportuan drejt Lampedusës në orët e para të së mërkurës.

Kryebashkiaku Filippo Mannino bëri të ditur se shtatë persona, përfshirë dy fëmijë, ndodhen në spital, ku po trajtohen për hipotermi dhe helmim nga avujt e karburantit.

Operacioni u zhvillua rreth 85 milje larg ishullit, në zonën e kërkim-shpëtimit që i përket Libisë. Gomonia ishte konstatuar një ditë më parë nga një avion zbulues italian, ndërsa në zonë mungonin mjete të tjera shpëtimi.

Autoritetet italiane ndërhynë duke dërguar një anije nga Lampedusa. Dyshohet se disa prej viktimave humbën jetën gjatë transportit, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike, me dallgë që arrinin deri në shtatë metra lartësi.

Lampedusa mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes për migrantët që nisen nga Afrika e Veriut drejt Evropës, një rrugë e rrezikshme që shpesh përfundon me pasoja tragjike.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, që nga fillimi i vitit, të paktën 624 persona janë raportuar të vdekur ose të zhdukur në Mesdheun qendror.

Një tjetër ngjarje tragjike u regjistrua në gusht, kur 27 persona humbën jetën pas mbytjes së dy mjeteve lundruese pranë brigjeve të ishullit. Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se 6,117 migrantë kanë mbërritur në Itali gjatë këtij viti.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit