Të rinjtë shqiptarë po konsumojnë gjithnjë e më pak pije alkoolike, sipas raportimeve të fundit që tregojnë një distancim gradual të brezave të rinj nga ky zakon, dikur ndër arsyet që e rendisnin rajonin europian ndër më të prekurit nga alkoolpirja.
Megjithatë, specialistët paralajmërojnë për një zhvillim shqetësues: rritjen e përdorimit të substancave narkotike, veçanërisht të kokainës, shpesh të kombinuar me alkool.
Mjekët toksikologë theksojnë se ky trend po bëhet gjithnjë e më i pranishëm tek të rinjtë.
Sipas tyre, numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë për përdorim alkooli dhe substancash të tjera është rritur ndjeshëm. Në shërbimet e urgjencës paraqiten edhe adoleshentë mbi moshën 14 vjeç, të prekur nga përdorimi i marijuanës, kokainës, alkoolit dhe drogave sintetike.
“Me kalimin e kohës përdorimi i substancave është rritur. Në urgjencë, por edhe në shërbimin e toksikologjisë, pacientët që kërkojnë ndihmë për alkoolin dhe substancat janë shtuar. Flasim për moshën mbi 14 vjeç që janë prezentë në pjesën e urgjencës. Kemi konsumimin e marijuanës, kokainës dhe të alkoolit, por edhe drogave të ndryshme sintetike që mund të jenë në qarkullim. Kokaina dhe alkooli po përdoren më shumë. Grupmosha më e shpeshtë që vjen janë të rinjtë”
Ekspertët shpjegojnë se përdoruesit, qofshin eksperimentues apo të rregullt, shpesh paraqiten me simptoma si ankth, rrahje të shpejta të zemrës, ndjesi mbytjeje, paranojë akute dhe gjendje të euforisë së shtuar. Ata paralajmërojnë se përveç varësisë, përdorimi i drogës sjell pasoja serioze për shëndetin, përfshirë edhe probleme të rëndësishme të shëndetit mendor.