Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Donald Trump pretendoi se forcat amerikane dhe izraelite i kanë dhënë Teheranit goditje “të shpejta dhe dërrmuese”, duke deklaruar se marina dhe forca ajrore iraniane janë shkatërruar dhe struktura komanduese është goditur rëndë.
Trump theksoi se SHBA-të po synojnë të shkatërrojnë aftësitë raketore dhe me dronë të Iranit, duke kujtuar se prej vitesh ka kundërshtuar pajisjen e këtij vendi me armë bërthamore. Ai shtoi se përpjekjet diplomatike kishin dështuar dhe se sulmet ndaj objekteve bërthamore në qershor ishin të pashmangshme, duke pretenduar se Irani ishte “një hap larg” ndërtimit të një bombe bërthamore dhe se dëmet e shkaktuara nga bombarduesit janë të konsiderueshme.
Në përmbyllje, Donald Trump paralajmëroi për sulme të tjera nëse Irani ndërmerr hapa drejt armëve bërthamore, duke theksuar se SHBA-të do të veprojnë “shumë agresivisht” në javët në vijim. Ai mohoi se qëllimi ishte ndryshimi i regjimit, ndërsa shtoi se SHBA nuk varen nga nafta e Lindjes së Mesme dhe u bëri thirrje aleatëve të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë në rajon, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit.