Transporti publik kërkon paketë emergjente: Duam 100 lekë/litër subvencion

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.04.2026, 08:29

Operatorët e transportit publik në Shqipëri kanë kërkuar miratimin e një pakete emergjente antikrizë, ku masa kryesore është kompensimi me 100 lekë për litër naftë për një periudhë 6-mujore. Sipas përfaqësuesve të sektorit, kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të shmangur reduktimin e shërbimit deri në 30% në nivel kombëtar, në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të karburantit.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, theksoi se skema e propozuar është e zbatueshme dhe e bazuar në modelin e vitit 2022, kur një fond prej rreth 300 milionë lekësh u përdor për të kompensuar operatorët. Sipas tij, mekanizmi parashikon kompensim të drejtpërdrejtë mbi bazën e faturave reale dhe deklarimeve tatimore, duke garantuar transparencë dhe kontroll mbi fondet.

Përveç subvencionimit të naftës, operatorët kërkojnë edhe lehtësime fiskale, përfshirë heqjen e taksës së qarkullimit dhe akcizës, si dhe uljen e TVSH-së nga 20% në 5%. Këto masa synojnë të ulin kostot dhe të garantojnë vijimësinë e një shërbimi publik jetik. Një përgjigje nga qeveria pritet së shpejti, pas takimit të paralajmëruar mes përfaqësuesve të sektorit dhe ministrave përkatës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit