Tentoi të grabiste një argjendari me armë, arrestohet 50-vjeçari shqiptar në Itali

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 01.04.2026, 22:44

Një 50-vjeçar me origjinë shqiptare është ndaluar nga policia italiane, pasi dyshohet si autori i një tentative grabitjeje me armë në një argjendari në qendër të Bologna.

Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 31 marsit në një dyqan bizhuterish në rrugën Via degli Artieri, ku i dyshuari thuhet se është futur i armatosur me pistoletë dhe ka tentuar të grabisë dyqanin. Reagimi i shpejtë i pronarit ka bërë që tentativa të dështojë, pasi ai ka arritur ta shtyjë jashtë ambientit të biznesit.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmia e pronarit kanë qenë vendimtare për identifikimin e të dyshuarit, i cili u lokalizua dhe u ndalua vetëm pak orë më vonë nga efektivët e policisë në zonën e Pilastros.

Sipas hetuesve italianë, 50-vjeçari rezulton një emër i njohur për forcat e rendit, me precedentë të shumtë penalë, që nga trafiku i lëndëve narkotike deri te një dënim i mëparshëm për tentativë vrasjeje në vitin 2013, ku sipas raportimeve kishte qëlluar me armë brenda një salle bastesh.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur sende që dyshohet se përputhen me ato të përdorura nga grabitësi, përfshirë syze, çantë shpine, këpucë dhe xhaketë. Gjithashtu është sekuestruar edhe një fishek i kalibrit 22, i konsideruar i përputhshëm me armën e përdorur gjatë tentativës së grabitjes.

Arma ende nuk është gjetur, ndërsa autoritetet italiane kanë vendosur arrestimin e tij për shkak të dyshimeve të forta dhe rrezikut të largimit, pasi sipas hetimeve ai nuk rezulton të ketë lidhje familjare apo punë të qëndrueshme në zonë.

Në një tjetër ngjarje të ndodhur po gjatë natës në provincën e Bologna, një bandë hajdutësh ka goditur një tjetër argjendari në një qendër tregtare, duke marrë sende me vlerë rreth 20 mijë euro dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit