Një nga pikat më ikonike dhe historike të qytetit të Durrësit, kodra panoramike ku lartësohet "Vila e Zogut", po përballet me një transformim radikal që kërcënon të fshijë përfundimisht identitetin e saj shekullor.

Ndërsa qindra banorë të prekur nga projekti TID mbushnin rrugët e qytetit bregdetar duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie, pas dyerve të mbyllura të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), është zbardhur leja e zhvillimit që i hap rrugën ndërtimit të një kompleksi të stërmadh rezidencial dhe hotelerie.

Ky vendim, i firmosur dhe vulosur në fund të janarit 2026, shënon dorëzimin e fundit të trashëgimisë historike dhe pasurisë natyrore përballë oreksit të pandalshëm për beton.

Dokumentet e siguruara hedhin dritë mbi një projekt masiv të titulluar "Pine Residences", i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 16 mijë metrash katrorë, pikërisht në mjedisin që deri dje konsiderohej i paprekshëm për shkak të afërsisë me rezidencën mbretërore të viteve '20-'30.

Edhe pse vetë relacioni i lejes e pranon se zona është një simbol kulturor dhe një mjedis natyror i virgjër me vegjetacion të pasur mesdhetar, këto cilësi nuk kanë shërbyer për ta mbrojtur, por për ta reklamuar atë si destinacionin ideal për "turizëm elitar".

Projekti parashikon ndërtimin e godinave që variojnë nga 1 deri në 7 kate mbitokë, duke përfshirë apart-hotele, qendra Wellness, SPA dhe pishina, të cilat do të zëvendësojnë pishat dhe peizazhin natyror me struktura gjeometrike prej betoni.

Ajo që e bën edhe më alarmante këtë situatë është fakti se leja i është dhënë firmës "Rajfi Group", një kompani me aktivitet të njohur në Durrës, godinat e së cilës rezultuan problematike dhe u prekën nga tërmeti i vitit 2019.

Pavarësisht këtyre rekordeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme të arkeologëve se nëntoka e asaj kodre fsheh relike të çmuara të epokave të ndryshme, qeveria ka zgjedhur të shpërfillë historinë në favor të interesave të ngushta private.

Kontrasti është ulëritës: nga njëra anë promovohet mbrojtja e monumenteve, dhe nga ana tjetër miratohen projekte që "varrosin" nën beton çdo gjurmë të së kaluarës, duke shndërruar kodrën më të bukur të Adriatikut në një kantier ndërtimi pa kthim.
