Tatimet u vënë rrogë referencë edhe berberëve

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01.04.2026, 21:33

Administrata Tatimore ka vënë në shënjestër dy nga sektorët më aktivë në vend, atë të mjekësisë dhe të kujdesit personal. Përmes një njoftimi zyrtar, autoritetet kanë bërë publike listën e pagave indikative, e cila do të shërbejë tashmë si një udhërrëfyes i detyrueshëm për të gjitha bizneset që operojnë në këto fusha.

Ky instrument i ri nuk është thjesht një sugjerim, por një mekanizëm kontrolli që do të lejojë shtetin të identifikojë në kohë reale rastet kur bizneset deklarojnë paga fiktive për të shmangur detyrimet ligjore.

Sipas skemës së re, tavanet dhe dyshemetë e pagesave janë përcaktuar qartë, duke krijuar një hendek që reflekton vështirësinë dhe kualifikimin e punës. Në bazën e kësaj piramide renditen berberët dhe parukierët, për të cilët qeveria ka caktuar një pagë referencë prej 75 mijë lekësh.

Nga ana tjetër, në majën e kësaj liste pozicionohen kirurgët, rroga e të cilëve për qëllime deklarimi duhet të arrijë deri në 215 mijë lekë. Kjo ndarje synon të zhbëjë praktikën e vjetër ku shumë profesionistë të kualifikuar rezultonin në letra me paga minimale, ndërkohë që reston e përfitonin jashtë sistemit bankar.

Një vëmendje e veçantë do t'u kushtohet edhe rasteve kur bizneset tentojnë të bëjnë "manovra" me emërtimet e profesioneve. Për shembull, nëse një klinikë ndryshon kategorizimin e një mjeku duke e paraqitur si personel ndihmës vetëm për të justifikuar një pagë më të ulët, ky veprim do të konsiderohet menjëherë si tentativë për mashtrim fiskal dhe do të sjellë kontrolle të imtësishme nga strukturat e specializuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit