Një publikim i bërë në rrjetet sociale nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave për 1 Prill ka shkaktuar reagime të ashpra, pasi u interpretua si një tallje me një nga simbolet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Në ditën e 1 Prillit, institucioni publikoi një postim satirik që lidhej me Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, dokument i konsideruar me vlerë të veçantë historike dhe simbolike. Shkrimi u pa nga shumë qytetarë si i papërshtatshëm për një institucion zyrtar.
Në njoftimin e publikuar thuhej:
“LAJMËRIM
U gjet rastësisht në vendruajtjet e vjetra të AQSh në Kurbnesh Deklarata e Pavarësisë, e humbur prej dekadash. Pranë saj u gjet edhe një vulë druri, mendohet e periudhës së Skënderbeut. Specialistë të fushës po shqyrtojnë objektet.”
Postimi, i cili synonte të ishte një shaka në kuadër të 1 Prillit, u prit me kritika të forta në rrjet, ku shumë qytetarë e cilësuan si të papranueshëm dhe jashtë etikës institucionale.
Reagimet nuk munguan, me komente që vinin në pikëpyetje seriozitetin e institucionit. Një qytetar shkruan:
“ky status është i denjë për një institucion karagjoz, që në t’vërtetë tregon gjendjen ku institucioni ndodhet. Ishalla herën tjetër gjejnë deklaratën e themelimit të PKSH, gjyshes së partive të sotme, se i bahet qefi të gjithë trashëgimtarëve të veteranëve ( kështu më duket ja kan ndërru emrin shoqatës)”.
Ndërsa një tjetër koment ironizonte situatën duke u shprehur:
“Sot duhet ta kishit bërë pushim”.
Ngjarja ka rihapur debatin mbi kufijtë e humorit nga institucionet publike dhe përgjegjësinë që ato kanë në trajtimin e çështjeve me ndjeshmëri historike.
