Ervis Matodashaj, i njohur ndryshe si “Çoke qorri”, është shpallur në kërkim nga SPAK, si një person i lidhur ngushtë me Inez Hajrulla, i identifikuar nga hetimet si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal në Vlorë.
Më 7 mars, të dy arritën t’i shpëtonin arrestimit gjatë një operacioni të zhvilluar me urdhër të SPAK. Hajrulla konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ndër vite ka qenë disa herë shënjestër atentatesh.
Ngjarja e parë e përmendur daton në vitin 2017, kur ndaj tij u tentua një sulm me tritol në një lokal në Vlorë, zonë e njohur edhe si vend i frekuentuar nga Edison Harizaj.
Një tjetër atentat ndodhi në vitin 2019, kur Hajrulla ndodhej së bashku me Matodashajn në zonën e quajtur “7 pallatet Oslo”, ku u qëllua me breshëri armësh. Nga të shtënat mbeti i plagosur rastësisht Dajko Canodemaj, ndërsa autorët u larguan dhe më pas dogjën automjetin në Babicë të Vogël.
Në gusht të vitit 2023, hetimet zbuluan një tjetër plan atentati ndaj tyre. Policia arrestoi në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë 35-vjeçarin Amarildo Nikolli, i cili u kap me armë zjarri me silenciator, municion luftarak dhe mjete të tjera që dyshohet se do të përdoreshin në sulm. Sipas hetimeve, objektiv i këtij plani ishin pikërisht Hajrulla dhe Matodashaj.
Ndërkohë, Hajrulla dhe Matodashaj janë shpallur në kërkim nga SPAK, si të dyshuar për përfshirje në dy vrasje të rënda të ndodhura në Vlora gjatë vitit 2021.
Ngjarja e parë i përket datës 6 shkurt, kur u ekzekutua Gentian Qarri. Sipas hetimeve paraprake, kjo vrasje dyshohet të ketë qenë një akt hakmarrjeje. Mendohet se shënjestra fillestare ka qenë Fatmir Hyseni, i njohur si “Doqja”, për të cilin dyshohej për përfshirje në vrasjen e Edison Faqedjegurit. Në pamundësi për ta arritur atë, autorët dyshohet se goditën kushëririn e tij, Gentian Qarri, menjëherë pasi doli nga banesa.
Ngjarja e dytë ndodhi më 10 maj të po atij viti, ku u vra Bledar Birçaj. Sipas dyshimeve, kjo vrasje lidhet me zhdukjen e një sasie kokaine në Spanjë, vend nga i cili Birçaj ishte kthyer pak kohë më parë. Ai u ekzekutua në rrugën “Hajro Çakërri”, teksa po lëvizte me automjetin e tij tip BMW X5.