Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik një nismë ligjore që shënon një kthesë rrënjësore në raportin e qytetarit me shtetin sa i përket mbrojtjes së mjedisit. Projektligji i ri, i cili propozon ndryshime thelbësore në ligjin ekzistues të vitit 2014, nuk synon vetëm rregullimin teknik të emetimeve, por vendos një përgjegjësi të re civile mbi autoritetet publike.
Risia më e madhe që sjell ky draft është e drejta e qytetarëve për të kërkuar dëmshpërblim financiar në rastet kur ata provojnë se shëndeti i tyre është dëmtuar si pasojë e dështimit të institucioneve për të mbajtur nën kontroll cilësinë e ajrit.
Përmes Nenit 19/1, ligji i ri krijon një urë lidhëse mes cilësisë së ajrit dhe dëmshpërblimit, duke e konsideruar neglizhencën e autoriteteve si një shkelje që mbart kosto. Sipas këtij propozimi, çdo person që pretendon se ka pësuar dëm shëndetësor nga ajri i ndotur mund t’i drejtohet gjykatës, me kushtin që të vërtetojë lidhjen e drejtpërdrejtë shkakësore mes shkeljes së kryer nga shteti (qoftë me dashje apo nga pakujdesia) dhe gjendjes së tij shëndetësore.
Për këtë procedurë, qytetarët do të kenë një dritare kohore prej tre vitesh për të paraqitur kërkesën nga momenti i konstatimit të dëmit, ndërsa afati maksimal i parashkrimit është vendosur dhjetë vite nga koha kur ka ndodhur shkelja.
Përtej aspektit të kompensimit, projektligji parashikon një modernizim të plotë të mënyrës se si Shqipëria monitoron mjedisin. Drafti kërkon ngritjen e të paktën dy superstacioneve të reja të monitorimit, të cilat do të vendosen në zona urbane dhe rurale për të siguruar të dhëna më të sakta dhe më të detajuara.
Për herë të parë, vëmendja do të përqendrohet edhe te ndotësit që deri më sot nuk janë monitoruar rregullisht, siç janë grimcat ultrafine dhe karboni i zi, duke përdorur teknika të avancuara të modelimit të cilësisë së ajrit. Të gjitha këto të dhëna do të jenë transparente për publikun, pasi Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të detyrohet të përditësojë indeksin e cilësisë së ajrit çdo orë.
Ky forcim i monitorimit shoqërohet me detyrime strikte për njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet qendrore. Nëse nivelet e ndotjes tejkalojnë normat e lejuara, autoritetet do të kenë afate shumë më të shkurtra për të ndërhyrë.
Planet afatshkurtra të veprimit mund të sjellin kufizime të menjëhershme, duke përfshirë bllokimin e qarkullimit të mjeteve në zona të caktuara apo masa të forta ndaj industrive gjatë episodeve të ndotjes ekstreme. Në këtë mënyrë, ligji synon që jo vetëm të ndëshkojë pasojat, por të parandalojë ekspozimin e gjatë të qytetarëve ndaj ajrit të dëmshëm.
Ky reformim vjen si një nevojë për të përafruar legjislacionin shqiptar me kërkesat strikte të Bashkimit Evropian, ku mbrojtja e mjedisit konsiderohet një e drejtë themelore e njeriut. Projektligji adreson gjithashtu sfidën e ndotjes ndërkufitare, duke kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë me vendet fqinje për të identifikuar burimet e ndotjes që vijnë përtej kufijve.
Pas miratimit të këtij ligji, do të nisë një periudhë tranzitore prej 18 muajsh për hartimin e të gjitha akteve nënligjore, të cilat do të bëjnë funksional këtë sistem të ri të drejtësisë mjedisore.