Përfaqësuesja e Kosovës u mposht minimalisht me rezultatin 1-0 në shtëpi nga Turqia, në finalen e “play-off”-it për një vend në Kupën e Botës 2026.
Ndeshja u vendos nga një moment i vetëm, me sulmuesin Kerem Aktürkoğlu që realizoi golin vendimtar në minutën e 53-të, duke i dhënë kualifikimin skuadrës turke.
Nga minuta e parë në fushë ishte edhe talenti i Juventusit, Kenan Yıldız, i cili zhvilloi një paraqitje të plotë deri në minutën e 89-të kur u zëvendësua. Ndërkohë, bashkëlojtari i tij te bardhezinjtë, Edon Zhegrova, nuk e nisi ndeshjen si titullar, por u aktivizua në pjesën e dytë.
Zhegrova u fut në lojë në minutën e 71-të dhe u përpoq të sillte ndryshim në ritmin e lojës, duke krijuar disa momente të rrezikshme, por pa mundur të ndikojë në rezultat.
Pas vërshëllimës përfundimtare, lojtarët e Turqisë nisën festën për kualifikimin, por një moment sportiv dhe njerëzor mori vëmendjen. Yıldız, sapo pa Zhegrovën, iu afrua menjëherë dhe e përqafoi, duke e ngushëlluar për humbjen.
Dy futbollistët do të lënë pas emocionet e kësaj përballjeje për t’u rikthyer sërish si shokë skuadre te Juventusi, ku të hënën i pret sfida ndaj Genoa në “Allianz Stadium”.