Përplasjet brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë janë thelluar pas përjashtimit të dy anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, të cilët kanë vendosur ta ankimojnë vendimin në Komisionin e Apelimit.
Dy anëtarët e PD-së Durrës, të cilët u përjashtuan nga kjo forcë politike, janë paraqitur mëngjesin e kësaj të mërkure në selinë blu në Tiranë, ku kanë kërkuar një takim me Sali Berishën.
Dritan Burgija kreu i grupit të këshilltarëve në Durrës, dhe anëtari Arlind Boshku, i cili mban edhe postin e sekretarit pranë kësaj dege, kanë kërkuar ballafaqim me Berishën, pasi vlerësojnë se vendimi për përjashtim ndaj tyre është i pa drejtë.
Vetë Berisha deklaroi pak ditë më parë se dy anëtarët janë përjashtuar nga PD pasi kanë bashkëpunuar me PS, ndërkohë që vetë Burgija dhe Boshku pretendojnë se janë përjashtuar pasi mbështetën Ervin Salianjin.