Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish-drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Artjol Saliasi, dhe Drejtorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, Gëzim Sala, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”. Ata akuzohen se kanë punësuar me urgjencë dhe në shkelje të rregullave Muçi Shaljanin, i cili u vra në atentatin e 11 nëntorit në Rinas së bashku me Gilmando Danin, pa ndjekur procedurat e ligjshme të rekrutimit dhe pa dokumentuar ndonjë nevojë emergjente për punësim.
Hetimet tregojnë se Muçi Shaljani, i njohur si “ushtar” i Emiljano Shullazit, u punësua si agjent i AMP-së vetëm me dokumente të përgatitura nga Gëzim Sala, ndërsa Saliasi dhe Sala koordinuan veprimet duke anashkaluar testimet, verifikimet dhe fazat e tjera të rekrutimit. Ai nuk u paraqit asnjëherë në punë për dy muajt e ardhshëm, por paga nuk u ndërpre, dhe kontrata e tij do të vazhdonte deri në dhjetor, po të mos ndodhte atentati mafioz.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit ishin të vetëdijshëm për shkeljet ligjore dhe megjithatë futën një person në strukturë pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë, duke konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e atentatit dhe lidhjet mes punësimit të dyshuar të Shaljanit dhe grupeve kriminale të përfshira në ngjarjen e 11 nëntorit.