Italia ka raportuar rastin e parë në Evropë të infektimit të një njeriu me virusin e gripit të shpendëve H9N2, njoftuan autoritetet shëndetësore.
Pacienti është një i mitur që besohet se e ka marrë virusin jashtë Evropës dhe u diagnostikua pas rikthimit në rajonin e Lombardisë.
Ai ndodhet i izoluar në spitalin San Gerardo në Monza, ku po trajtohet me simptoma të lehta dhe pa probleme serioze shëndetësore. Infeksioni u konfirmua përmes analizave laboratorike specifike që zbulojnë materialin gjenetik të virusit.
H9N2 është pjesë e familjes së influencës A, ku hyjnë si viruset e gripit sezonal, ashtu edhe ato që prekin kryesisht shpendët. Ky variant konsiderohet me rrezik të ulët, pasi zakonisht shkakton forma të lehta sëmundjeje.
Rastet e transmetimit te njerëzit janë të rralla dhe lidhen kryesisht me kontaktin e drejtpërdrejtë me zogj të infektuar ose ambiente të kontaminuara. Megjithëse ky është rasti i parë në Evropë, në botë janë raportuar qindra raste, kryesisht në Azi, veçanërisht në Kinë.
Ekspertët theksojnë se rreziku për popullatën është i ulët, pasi virusi nuk përhapet lehtë nga një person te tjetri. Gjithsesi, situata po monitorohet nga afër për shkak të aftësisë së viruseve të gripit për të pësuar ndryshime.
Autoritetet italiane kanë ndërmarrë gjurmimin e kontakteve, ndërsa deri tani nuk janë evidentuar raste të tjera të transmetimit.