Italia ka prekur fundin. Një nga kombëtaret më të mëdha në historinë e futbollit është eliminuar sërish dhe nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi.
Katër herë kampionët e botës u mposhtën nga Bosnja me penallti 4-1, pas një ndeshjeje dramatike që përfundoi 1-1 në kohën e rregullt dhe 1-1 edhe pas shtesës.
Gjithçka nisi mirë për italianët, të cilët kaluan në avantazh në pjesën e parë, por loja mori kthesë pas një kartoni të kuq që i la me 10 lojtarë. Bosnja përfitoi nga superioriteti numerik dhe arriti të barazojë, duke çuar sfidën drejt dramës së penalltive.
Nga pika e bardhë, italianët u dorëzuan plotësisht, ndërsa Bosnja u tregua e saktë dhe historike, duke siguruar një biletë për në Botëror, vetëm e dyta në historinë e saj.
Për Italinë, kjo është një goditje e rëndë dhe një tjetër kapitull i errët në vitet e fundit. Pas mungesës në Botërorin 2018 dhe 2022, tashmë “azzurrët” konfirmojnë krizën më të thellë në histori, duke mbetur jashtë edhe në vitin 2026.
Një brez i tërë tifozësh italianë po rritet pa e parë skuadrën e tyre në Kupën e Botës, diçka e paimagjinueshme deri pak vite më parë.
Nga ana tjetër, Bosnja shkruan historinë dhe rikthehet në skenën më të madhe të futbollit botëror, duke përmbysur çdo parashikim dhe duke eliminuar një gjigant si Italia.
Një natë që do të mbahet mend gjatë… por për Italinë, si një tjetër dështim i madh.