“Perla” e kapur nga kamera e Google Street, përplasja ‘qesharake’ e dy çiklistëve

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 31.03.2026, 23:05

Një video sa absurde aq edhe qesharake po bën xhiron e rrjetit, duke dëshmuar se kur fati ka vendosur të të turpërojë, do ta bëjë në mënyrën më publike të mundshme: përmes Google Street View.

Ajo që duhej të ishte një ditë rutinë për makinën e Google që fotografon rrugët për hartat online, është kthyer në xhirimin e një "filmi" me metrazh të shkurtër. Në pamje shihet një djalë me biçikletë të kuqe që pedalon i qetë, pa e ditur se po bëhej protagonisti i një momenti që do të mbetej në histori.

Edhe pse rruga është krejtësisht e gjerë dhe pa asnjë mjet tjetër në qarkullim, ndodh ajo që nuk pritet. Nga krahu tjetër shfaqet një tjetër çiklist dhe, sikur të ishin të tërhequr nga një 'magnet i padukshëm', të dy drejtohen fiks drejt njëri-tjetrit.

Kamera 360-gradëshe e Google ka kapur "live" të gjithë sekuencën: afrimin e ngadaltë, goditjen rrotë më rrotë dhe momentin epik kur të dy përfundojnë të shtrirë në asfalt.

Për shkak të mënyrës se si sistemi i Google bashkon imazhet, aksidenti duket thuajse si një animacion i sinkronizuar mirë. Pas përplasjes, djemtë shihen duke u ngritur të habitur, me siguri duke pyetur veten se si arritën të përplaseshin në atë rrugë aq të madhe.

Tashmë ky moment është i "kyçur" përgjithmonë në Google Maps. Ndaj, herën tjetër që të shihni makinën e Google vërdallë, mbani sytë hapur... se mund të përfundoni edhe ju si "yjet" e radhës të internetit pa dashje!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit