Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin Fier–Patos, në vendin e njohur si “Kthesa e Mbyetit”.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Volkswagen” është përplasur me një mjet tip “Touareg”. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar lëndimin e drejtuesve të mjeteve, si dhe të pasagjerëve që udhëtonin me to.
Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti.