Operacionet rekord të Bankës së Shqipërisë: Blerjet e valutës kapërcejnë 1 miliard euro

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 31.03.2026, 21:49

Banka e Shqipërisë ka thyer çdo parashikim gjatë vitit 2025 duke përthithur nga tregu një shifër rekord prej 1 miliard e 27 milionë eurosh, një lëvizje që zyrtarisht argumentohet me nevojën për të rritur rezervën valutore dhe për të shpëtuar euron nga pika e vdekjes.

Megjithatë, ky vëllim i jashtëzakonshëm blerjesh, që shënon një rritje prej 10% brenda një viti, ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi natyrën e vërtetë të parave që po qarkullojnë në ekonominë shqiptare.

Pyetja që shtrohet rëndom në rrethet ekonomike është nëse ky lumë eurosh është produkt i një suksesi turistik të pashembullt, apo pasojë e pastrimit të parave nga aktivitete kriminale që po gjejnë terren në tregun vendas.

Dyshimet përforcohen kur shihet se pjesa dërrmuese e ndërhyrjeve, rreth 729,1 milionë euro, nuk ishin blerje të planifikuara për nevoja shtetërore, por ndërhyrje emergjente për të blerë valutën e tepërt që "mbyt" tregun çdo ditë.

Ndërkohë që institucionet mburren me fluksin e turistëve, rritja me 12,1% e blerjeve direkte për të penguar rënien e kursit euro-lek tregon për një sasi valute që duket se tejkalon kapacitetet reale të konsumit turistik.

Ky disproporcion ushqen teoritë se një pjesë e konsiderueshme e kësaj valute mund të burojë nga burime informale ose kriminale, të cilat duke hyrë në sistem përmes kanaleve të ndryshme, detyrojnë Bankën Qendrore të ndërhyjë me shifra rekord për të mbajtur artificialisht në këmbë kursin e këmbimit.

Edhe pse muaji korrik shënoi pikun me 236 milionë euro të blera, çka përkon me sezonin veror, strategjia agresive e bankës për të vijuar me 26 ankande edhe gjatë vitit 2026 lë të kuptohet se presioni i valutës nuk është thjesht sezonal.

Projekti për të blerë deri në 450 milionë euro të tjera vitin e ardhshëm shihet nga kritikët si një përpjekje për të "pastruar" tepricën e madhe të euros që po zhvlerëson lekun, pa dhënë një shpjegim të qartë se sa nga këto para vijnë nga ekonomia e bardhë dhe sa nga ajo e zezë.

Kjo mbingopje e tregut me euro, në nivele që detyrojnë bankën qendrore të thyejë rekorde blerjeje, mbetet një nga enigmat më të mëdha të stabilitetit ekonomik në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit