Një denoncim shqetësues ka mbërritur nga qyteti i Durrësit, ku qytetarët ngrenë alarmin për një situatë të rëndë mjedisore në zonën e njohur si “Sektori Rinia”, një ndër hapësirat e fundit të gjelbëra që u ka mbetur banorëve.
Sipas denoncimit, kjo zonë, e cila përdorej nga familjet për shëtitje në kohë të lirë, po përballet me një degradim të vazhdueshëm dhe të pakontrolluar. Banorët raportojnë për gjueti të paligjshme, prerje të pemëve dhe dëmtime të qëllimshme të pyllit.
Problemi nuk ndalet me kaq. Në zonë hidhen vazhdimisht mbeturina urbane dhe inerte ndërtimi, duke e kthyer hapësirën në një vendgrumbullim të paligjshëm. Madje, sipas banorëve, janë evidentuar edhe raste të hedhjes së kafshëve të ngordhura, çka përbën rrezik serioz për shëndetin publik dhe mjedisin.
Ata theksojnë se persona të ndryshëm hyjnë në këtë zonë, marrin materiale dhe sillen sikur territori të jetë pronë private, ndërkohë që mungon totalisht reagimi i institucioneve përgjegjëse.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë së Durrësit me në krye Emirjana Sakon, dhe institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur këtë “masakër mjedisore” dhe për të mbrojtur të vetmen hapësirë të gjelbër që i ka mbetur qytetit.