Duket se për disa biznesmenë në Shqipëri, rruga drejt miliona eurove të tenderave publikë kalon përmes kronikës së zezë. Gerond Meçe, i njohur për publikun jo vetëm si pronar i kompanisë "Advanced Business Solutions – ABS", por edhe si protagonist i një ngjarjeje të rëndë pengmarrjeje kohë më parë lidhur pikërisht me përplasjet për tenderat, sapo ka arkëtuar "qypin" e radhës nga paratë e taksapaguesve.

Këtë herë, "bamirësi" është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nën drejtimin e Igli Tafës, e cila i ka dhuruar Meçes një kontratë të majme me vlerë rreth 2.7 milionë euro me TVSH.
Objekti i tenderit me numër reference REF-49169-05-27-2025 është "Ndërtimi i Sistemit Informatik të Menaxhimit të Proceseve të Brendshme për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Institucioneve të vartësisë (IEVP) dhe infrastrukturës hostuese".
Në pamje të parë, bëhet fjalë për një proces teknik, por shifrat dhe mënyra se si u zhvillua gara ngrenë dyshime të forta për një fitues të paracaktuar:
Fondi Limit: 294,999,380.00 Lekë pa TVSH
Oferta Fituese: 221,249,535.00 Lekë pa TVSH
Dyshimet për një skenar të shkruar mirë përforcohen kur sheh listën e pjesëmarrësve. Në këtë procedurë kanë marrë pjesë 5 kompani, por ajo që bie në sy është një fenomen që po kthehet në normë në tenderat e AKSHI-t: fiktiviteti.

Nga pesë operatorët në garë, dy prej tyre janë futur pa paraqitur asnjë ofertë ekonomike. Pse do të harxhonte kohë një kompani për t'u bërë pjesë e një tenderi mbi kufirin e lartë monetar, vetëm për të mos hedhur asnjë shifër? Përgjigja duket e qartë: për të plotësuar numrin e nevojshëm të pjesëmarrësve dhe për të legjitimuar fitoren e paracaktuar të Meçes, duke krijuar iluzionin e një gare që në fakt nuk ekzistonte.
Emri i Gerond Meçes nuk është i panjohur për drejtësinë dhe median. Kohë më parë, ai ishte në qendër të një skandali ku u raportua se u mor peng dhe u dhunua nga një grup personash. Arsyeja e asaj ngjarjeje tronditëse, sipas dosjeve hetimore të asaj kohe, ishin pikërisht konfliktet për disa tendera.
Sot, duket se Meçe ka lënë pas makthet e pengmarrjes dhe është fokusuar totalisht te "kapja" e tenderave të rinj. Nga një viktimë e konflikteve për tendera, ai është shndërruar në një nga klientët e preferuar të AKSHI-t, duke marrë në dorëzim sisteme delikate si ai i menaxhimit të burgjeve.

Si ka mundësi që AKSHI pranon si të mirëqenë një garë ku 40% e pjesëmarrësve nuk bëjnë ofertë? A është kryer një verifikim i pastërtisë së figurës dhe historikut të kompanisë ABS para se t'i besonit menaxhimin e të dhënave të burgjeve? A po përdoren paratë e sistemit të burgjeve për të "blerë" qetësinë e radhës në tregun e tenderave?
Ndërkohë që SPAK pretendon se po ndjek çdo qindarkë të dyshimtë, milionat e AKSHI-t vazhdojnë të rrjedhin drejt emrave që dikur mbushnin kronikat e zeza.
