Mbrëmja e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë pritet të jetë shumë më tepër se një ndeshje futbolli. Në orën 20:45, përballja mes Kosovës dhe Turqisë merr peshën e një beteje për krenari, për identitet dhe për ëndrrën e madhe të kualifikimit në Kampionatin Botëror. Zemrat e tifozëve do të rrahin njësoj, në stadium dhe kudo ku ka shqiptarë.
Ndërkohë, mijëra kilometra larg, në Aeroportin e Stuttgartit, emocionet janë po aq të forta. Mërgimtarët janë nisur drejt Prishtinës me flamuj në duar dhe këngën në zemër. Zëri i një bashkatdhetari që këndon “Jam e lindur në mërgim, zemra m’rrah o për vendin tim” nuk është thjesht këngë është mall, është dashuri e pashuar për atdheun, është dëshmi se Kosova jeton në çdo zemër shqiptari, kudo në botë.
Kjo natë bashkon një komb të tërë. Nga tribunat e stadiumit te aeroportet e Evropës, nga qytetet e Kosovës te zemrat e diasporës, një thirrje dëgjohet fuqishëm: “Oj Kosovë, sa fort të dua!” Dhe teksa futbollistët zbresin në fushë, ata nuk përfaqësojnë vetëm një ekip ata mbajnë mbi supe krenarinë, sakrificën dhe dashurinë e një populli të tërë. 🇽🇰