Një moment i veçantë nga atmosfera para ndeshjes Kosovë–Turqi në Prishtinë po bën xhiron e rrjeteve sociale. Në një video të publikuar së fundmi, shihet një tifoz turk duke kërcyer me shumë entuziazëm nën ritmin e daulleve tradicionale shqiptare, duke krijuar një skenë të ngrohtë dhe plot energji.
Pamjet kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe tifozëve, të cilët e kanë përshëndetur këtë gjest si një simbol të miqësisë dhe respektit mes dy popujve. Mes tingujve karakteristikë të muzikës shqiptare, tifozi duket i përfshirë plotësisht në atmosferën festive, duke u bërë pjesë e festës që ka pushtuar kryeqytetin.
Ky moment vjen në prag të ndeshjes së shumëpritur mes Kosovës dhe Turqisë, e cila zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”. Përtej rivalitetit sportiv, atmosfera në Prishtinë po dëshmon edhe një herë se futbolli bashkon njerëzit dhe krijon ura miqësie mes kulturave të ndryshme.