Në zonën e Liqenit të Thatë, një problem po kthehet në një shqetësim serioz për banorët: rruga është pothuajse e bllokuar nga ferrat dhe bimësia e pakontrolluar, duke e bërë kalimin çdo ditë e më të vështirë.
Sipas banorëve, prej më shumë se një viti nuk është ndërhyrë për pastrimin e zonës. “Zhuli” ka rrethuar gjithë hapësirën, duke ngushtuar rrugën deri në atë pikë sa, siç shprehen ata, “ka mbetur vetëm të na hyjë në shtëpi”. Situata jo vetëm që krijon vështirësi në lëvizje, por rrit edhe rrezikun për sigurinë, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes.
Ironia qëndron në faktin se kjo zonë, e frekuentuar dhe me potencial të lartë zhvillimi, është lënë në harresë nga institucionet përgjegjëse. Banorët ngrenë pyetjen: a duhet të presin edhe më gjatë për një ndërhyrje minimale si pastrimi i rrugës?
Pakënaqësia është e dukshme dhe nuk mungojnë as komentet ironike: “Ndoshta po presin të dalë lali nga burgu që të kujtohen për ne”, shprehet një prej tyre, duke reflektuar zhgënjimin e akumuluar ndaj mungesës së reagimit.
Ndërkohë, kërkesa e banorëve është e thjeshtë: një ndërhyrje urgjente për pastrimin e zonës dhe rikthimin e kushteve normale të jetesës. Sepse në fund të fundit, mirëmbajtja e hapësirave publike nuk duhet të jetë luks, por detyrim.