Një ngjarje tronditëse ka ndodhur Milano-n, pas raportimeve se varri i 29-vjeçares Pamela Genini është përdhosur pesë muaj pas vdekjes së saj, dhe një pjesë e trupit, përfshirë kafkën, është marrë nga persona të panjohur.
Sipas mediave italiane, zbulimi makabër u bë të hënën, më 30 mars, nga punonjësit e varrezave, të cilët vunë re se arkivoli ishte hapur me forcë dhe një pjesë e trupit mungonte. Autoritetet dyshojnë se në këtë akt mund të kenë marrë pjesë tre ose katër individë, ndërsa motivi mbetet i paqartë.
Hetimet po vijojnë dhe rasti trajtohet si përdhosje e trupit të pajetë dhe vjedhje e një pjese të tij, veprime që sipas ligjit italian dënohen deri në shtatë vjet burg.
Ngjarja rikthen vëmendjen tek vrasja e modeles në tetor 2025. Pamela Genini u gjet e vrarë në ballkonin e apartamentit të saj, e goditur më shumë se 20 herë me thikë. I dyshuari kryesor është ish-partneri i saj, biznesmeni 52-vjeçar Gianluca Soncin.
Hetimet tregojnë se ai dyshohet se e përndoqte dhe ushtronte presion për ribashkim pas ndarjes. Autoritetet besojnë se ai hyri në banesën e saj duke përdorur çelësat që kishte ende në posedim. Pak para sulmit, viktima kishte shprehur frikën ndaj ish-partnerit tek një shoqe, ndërsa dëshmitarët raportuan se ajo ishte dëgjuar duke kërkuar ndihmë gjatë sulmit.
Pas krimit, i dyshuari tentoi t’i japë fund jetës duke plagosur veten në qafë, por mbijetoi. Ai qëndron në paraburgim dhe përballet me akuza për përndjekje dhe vrasje, ndërsa hetimet për përdhosjen e varrit vazhdojnë.